Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve L. L. dhe K. Sh. nga Prishtina, për veprat penale “grabitje” dhe “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar të armëve”. Gjykata i ka shqiptuar dënim unik për secilin të akuzuarit, në kohëzgjatje prej 2 vite e 3 muaj burgim dhe 1.000 euro gjobë.
Të akuzuarit në vitin 2018 duke përdorur forcë dhe duke kanosur një burrë, kanë tentuar t’ia marrin çantën nga dora e cila kishte para.
“Të akuzuarit me datë 14.05.2018, rreth orës 22:15, në rrugën “Vëllezërit Maliqi”, në Gjilan, me anë të përdorimit të forcës dhe të kanosjes kanë tentuar që ta përvetësojnë pasurinë e huaj të luajtshme, me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që nën përdorimin e armëve dhe atë dy revole të kalibrit 7.65 mm, si mjete të rrezikshme, i dalin në rrugë të dëmtuarit A. H. gjersa ishte duke lëvizur me biçikletë, tentojnë t’ia marrin çantën me para. Pas shtyrjes - kacafytjes, i pandehuri L. L. e nxjerrë revolen me gaz nga brezi duke shtënë në afërsi të tij gjersa ishin duke u kacafytur, duke e parë këtë gjendje se nuk po mundet t’ia kapë çantën me para, ndërhynë i pandehuri K. Sh., ashtu që me revolen e tij të kalibrit 7.65 mm, armë e vërtetë shtinë në afërsi të tij njëherë dhe e godet me kondak të revoles në kokë - fytyrë duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Më pas, i dëmtuari duke bërtitur afër shtëpisë së tij e kishte dëgjuar bashkëshortja e tij e cila mundohet t’i ofrojë ndihmë bashkëshortit dhe duke parë këtë situatë se nuk po munden që të arrijnë që t’ia kapin çantën e krahut që e kishte i dëmtuari, të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes.