Me 22 vjet burgim është dënuar B.Sh. për vrasjen e Abit Jasharit në shkurt të 2019-s në Prishtinë. Ndërsa i akuzuari tjetër, B.Sh. (babai i të dënuarit) është liruar nga akuzat për shtytje në vrasje, ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari B.Sh. për veprën penale “Vrasje e rëndë” u dënua me 21 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 2 vjet. Ndaj tij, u shqiptua dënim unik prej 22 vjetësh burgim.
Ndërsa, i akuzuari tjetër u lirua nga akuza pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Për këtë çështje, më 14 korrik 2022 ishte bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes pas propozimit të aprovuar nga trupi gjykues më 1 qershor 2022 të mbrojtësit të të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, B.Sh. akuzohej se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”. Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë. Më pas, sipas akuzës, viktima kishte dalë nga vetura dhe i pandehuri kishte shtënë sërish në drejtim të tij. Abit Jashari kishte vdekur në vendin e ngjarjes./BpD