Kronikë

Nisin procedurat hetimore për 18 raste të shkeljeve të masave të Qeverisë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Policia e Kosovës pothuaj çdo ditë ka hasur në lokale të hapura, pronarët e të cilave nuk i kanë zbatuar dispozitat shëndetësore gjatë epidemisë të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së COVID-19.

Vetëm për pesë ditë, nga data 21 deri më 26 mars, ky organ i sigurisë ka trajtuar 18 raste në komunat Podujevë, Fushë-Kosovë dhe Graçanicë. Shumica e tyre kanë qenë për lokale të hapura në kundërshtim me vendimin e institucioneve të vendit, por edhe për mosdistancë ndërmjet punëtorëve a klientëve dhe për lëvizje në kohën e kufizuar.

Prej këtyre 18 rasteve, vetëm njëri është dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët, në konsultim me prokurorë, janë dërguar në procedurë të rregullt, raporton KOHA.

Në raportin e Policisë për 24 orët e fundit, thuhet se në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë-Kosovë më 26.03.2020-16:45, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar. Siç thuhet në raport, i njëjti nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë lidhur me operatorët ekonomikë në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për krijimin e distancës shoqërore dhe shmangien e kontaktit për punonjësit dhe klientët sipas rekomandive të MSH-së dhe IKSHP-së. Ky pronar ka lejuar brenda hapësirës së mbyllur gjithsej 27 persona pa vendosur shenjat dhe paralajmërimet për distancë shoqërore.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. “Në fshatin Llaushë e Poshtme, Podujevë 25.03.2020 – 07:20 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar duke mos respektuar vendimet dhe masat e ndërmarra ndaj përhapjes së pandemisë ka dalë me veturën e tij dhe ka goditur viktimën mashkull kosovar”.

Në të njëjtën ditë Policia kishte arrestuar një person tjetër në rrugën “Nëna Tereze” në Fushë-Kosovë, pasi në lokalin e tij u ka shërbyer klientëve pije-kafe, duke mos respektuar masat e ndërmarra ndaj përhapjes së pandemisë. Pas intervistimit, i njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Siç thuhet në raportet e Policisë, në lokale të hapura më 24 mars kishte hasur edhe një rast në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, pastaj më 23 mars në 3 raste në Fushë-Kosovë dhe po aq në Podujevë (2 në rrugën “Skënderbeu” dhe 1 në “Zahir Pajaziti”), më 22 mars në 2 raste tjera në Podujevë, ndërsa më 21 mars në 6 raste: 4 ishin në Podujevë, 1 në Fushë-Kosovë dhe 1 në rrugën Graçanicë-Gjilan. Në rastin e fundit, pronari i kishte sulmuar edhe policinë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili si menaxher i një restoranti nuk kishte respektuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me virusin Covid-19, ku brenda në atë restorant njësiti policor kishte has në 13 persona si klientë dhe 4 femra punëtore të lokalit. I dyshuari kishte refuzuar ta mbyllë lokalin dhe kishte sulmuar një zyrtar policor i cili si pasojë e sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.