Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, ka arrestuar një të dyshuar në lidhje me me kërcënimin që i ka bërë një deputeti të Kuvendit të Kosovës.
Siç bën me dije PK përmes një komunikate, “pas pranimit të informatës se dje, më 24.03.2020, një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, ka pranuar një mesazh kërcënues për jetën e tij, sot më 25.03.2020, zyrtarët policorë kanë kontaktuar deputetin në fjalë dhe kanë filluar hetimet policore”.
“Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe më pas intervistuar të dyshuarin Sh.J. i cili dyshohet ta ketë kryer kanosjen, përmes rrjeteve sociale”, ka thënë PK-ja.
Me vendim të prokurorit kompetent, personi i dyshuar është liruar, dhe rasti është proceduar në procedurë të rregulltë.
Ndonëse nuk është bërë i ditur emri i deputetit, besohet se ka të bëjë me kërcënimin që një ditë më parë u raportua se e mori deputeti i Nismës Socialdemorkate, Haxhi Shala.