OVL e UÇK-së reagon për vrasjen e Qerim Kelmendit Foto nga vendi i ngjarjes / Koha

Kurti: Policia e Prokuroria të hetojnë vrasjen mizore të Kelmendit

27 February 2020 10:55
15:05

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së Qerim Kelmendit.

Kurti, përmes një postimi në rrjetin social facebook, thotë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria, duhet të hetojnë për këtë vrasje mizore.

“Herët nga ministria e pastaj nga mediat mësuam se është vrarë dhe djegur në makinën e tij, Qerim Kelmendi, ish ushtar i UÇK-së. 21 vjet pas luftës, në kohë të paqes, askush nuk duhet të jetojë me ndjenjën e frikës e sidomos ata që sakrifikuan më së shumti. Policia dhe prokuroria duhet ta hetojnë me gjithë kapacitetin e tyre këtë vrasje mizore që është më shumë se krim”, shkruan Kurti në Facebook.

12:24

Thaçi: Të zbardhet vrasja e tmerrshme e Kelmendit, kryerësit të vendosen para drejtësisë

Për vrasjen e Qerim Kelmendit ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi ka kërkuar nga institucionet relevante që vrasja të zbardhet menjëherë, dhe u ka bërë thirrje që kryerësit të vendosën para drejtësisë.

“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. I bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe ligjit, që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejtë që është e mundur dhe kryesit e saj të vendosën para drejtësisë. Familjes Kelmendi dhe gjithë bashkëluftëtarëve të Qerimit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke i siguruar se do t’i përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur këtë vrasje mizore!”, ka shkruar Thaçi.

Në një konferencë për media, Policia e Kosovës tha se është duke e hetuar rastin dhe po presin raportin e Mjekësisë Ligjore për ta identifikuar dhe konfirmuar viktimën.

11:08

Haradinaj kërkon nga organet e drejtësisë të zbardhet vrasja e Kelmendit

Për vrasjen e Qerim Kelmendit, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet sa më shpejtë.

“Sot me pikëllim morëm lajmin për vrasjen e bashkëluftëtarit të orëve të hershme të UÇK-së Qerim Kelmendi. Familjes dhe bashkëluftëtarëve u shprehi ngushëllimet e sinqerta. Iu bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të zbardhin rastin”, shkruan Haradinaj.

10:55

OVL e UÇK-së reagon për vrasjen e Qerim Kelmendit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi ashpër në lidhje me vrasjen e Qerim Kelmendit, trupi i të cilit u gjet në një veturë të djegur.

“Vrasja e bashkëluftëtarit tonë është një lajm shumë i dhimbshëm për ne. Kërkojmë nga organet e drejtësisë, që sa më shpejt ta zbulojnë këtë krim dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Sipas organizatës, “kur vriten luftëtarët e lirë në kohë paqe e në mënyrë makabre, vritet liria”.

“U shprehim ngushëllime familjes dhe shokëve të të ndjerit Qerim Kelmendi”, thuhet në reagim.

Vrasje të dyfishtë të lirisë së popullit të Kosovës e ka quajtur kryetari i OVL-UÇK-së vrasjen e Qerim Kelmendit.

Ish-luftëtari i UÇK-së dyshohet se është vrarë e pastaj djegur mëngjesin e sotëm në Zahaq të Pejës.

Hysni Gucati kërkon nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të zbardhet ky rast, teksa shpreh dyshimet se vrasja mund të jetë kryer nga sigurimet e huaja.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për KosovaPress thotë se ndihet i trishtuar nga ky lajm.

“Ne e kemi pritur shumë keq këtë vrasje, e cila na ka tronditur. Ne kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës, drejtësia, policia dhe gjithë akterët në Kosovë që sa më shpejt të zbulohet ky akt makabër. Në vendet demokratike kur vritet një veteran i Ushtrisë Çliri mtare të Kosovës, vritet edhe liria e atij populli. Se po të mos ishte lufta e UÇK-së, mos të ishin këta djem që e kanë udhëhequr luftën si Qerim Kelmendi, edhe shumë shokë të tij në krye me komandantin Adem Jasharin, ne sot nuk do të ishim këtu”, tha Gucati.


Ibrahim Kelmendi, vëllai i të vrarit në Pejë, Qerim Kelmendit, ka reaguar të enjten.

Ibrahim Kelmendi është anëtar i ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës. Përmes llogarisë së tij në Facebook, ai ka postuar një fotografi të të vëllait të tij, tashmë të ndjerë, me përshkrimin: “Festoni rugovistë ‘pacifistë’… Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse!”, raporton Koha.net, duke e konfirmuar në esencë se trupi i pajetë i gjetur është i Qerim Kelmendit.

Emri i Qerim Kelmendit, trupi i pajetë i të cilit është gjetur i djegur brenda një veture të shkrumbuar, është përfolur lidhur me vrasjes e pasluftës në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme