Një hulumtim që “Koha Ditore” e kishte bërë prej më shumë se dy muajsh, e i cili u publikua në fillim të këtij viti që po e lëmë pas, kishte gjetur një mori shkeljesh që Ministria e Bujqësisë i ka bërë kur i ka ndarë grantet.
E ndaj këtyre shkeljeve, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Nenad Rikallos, ish-ministër i Bujqësisë, Kapllan Halimit, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe ndaj 6 zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjogjaj, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindor Krasniqi dhe Albana Zeqiri, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria thotë se të pandehurit Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, dhe Ekrem Gjogjaj, në bashkëveprim gjatë vitit 2018, me qëllim që t’u mundësojnë përfitime në mënyrë të kundërligjshme disa kompanive, kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për bujqësi dhe zhvillim rural, neni 5.1, neni 8, neni 13, paragrafi 1.2 , neni 4, neni 14.2, Ligji 03/L-098 për bujqësi dhe zhvillim rural, neni 8 dhe 9, Rregullores (QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.
“I pandehuri N.R. (Nenad Rikallo, shën.red.) në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një ‘program të veçantë’, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt. Po ashtu, më 26.03.2018 në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç’rast edhe programin e dorëzon vetë, të përfunduar, (ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht). Ndërsa, i pandehuri K.H. (Kapllan Halimi, shën.red) në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të ndryshme, ka emëruar grupin punues në përbërje prej 11 anëtarësh për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vetë ministri N.R. (Nenad Rikallo)”, thotë Prokuroria Speciale e Kosovës.
BIZNESET QË PËRFITUAN JASHTËLIGJSHËM TRE MILIONËT E MINISTRISË SË BUJQËSISË
Ndërkaq, i pandehuri tjetër, me inicialet Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në MBPZHR, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ nr. 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098, për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QRK) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për Zhvillim Rural në MBPZHR.
MUNGESË TRANSPARENCE PËR TRE MILIONËT E DHËNË JASHTËLIGJSHËM NË EMËR TË GRANTEVE
Ndërsa, i pandehuri Ekrem Gjogjaj, në cilësinë e personit zyrtar Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin për formimin e grupit punues, i cili do të bënte kontrollin administrativ, vlerësimin, miratimin dhe kontraktimin e projekteve të masës së infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Liridon Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhej të formohet nga drejtori, të monitorohej nga drejtori dhe të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.
“Kështu që, i pandehuri Ekrem Gjogjaj, me qellim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të ndryshme, në mënyrë të kundërligjshme, ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në ketë mënyrë, buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro”, ka thënë Prokuroria.
Me këto veprime, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se të pandehurit Nenad Rikallo, Kapllan Halimi dhe Ekrem Gjogjaj, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Po ashtu, Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Liridon Krasniqi dhe Albana Zeqiri, më 14.08.2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përftime në mënyrë të kundërligjshme disa kompanive, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018, për zbatimin e programit te veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.