Kronikë

Inspektorati kërkon suspendimin e policëve që s’ndërhyn gjatë sulmit të Shalës ndaj gazetarit

Foto: Koha / ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin me pagesë të policëve që nuk kishin ndërhyrë në kohën e incidentit derisa ministri në detyrë i Tregtisë, Endrit Shala, kishte goditur një gazetar të portalit IndeksOnline, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas një njoftimi nga IPK-ja, lidhur me rastin janë ndërmarrë disa veprime hetimroe ndaj dy zyrtarëve policorë që ishin prezentë në kohën e incidentit.

Personi që u plagos sot në Veternik është këshilltari i Limajt, IO thotë se Shala ia sulmoi gazetarin

IPK-ja ka thënë se hetimet po i zhvillon me dyshimin se zyrtarët policorë nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky është njoftimi i plotë i IPK-së:

IPK mbrëmë përmes “Linjës së Kaltër” (numrit të telefonit pa pagesë në IPK 080003333) ka pranuar ankesën e qytetarit (gazetarit) për incidentin që është raportuar të ketë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) .

Bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit e IPK-së, me të pranuar ankesë kanë dalë në vend ngjarje.

Në vazhdën e veprimeve hetimore IPK ka njoftuar prokurorin kompetent dhe në koordinim me të njëjtin janë ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë që kanë qenë prezent kur ka ndodhur incidenti.

Hetimet e IPK-së janë duke u zhvilluar me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në konsultim me prokurorinë kompetente rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, kurse IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë për zyrtarët policorë në këtë rast.