Kronikë

Prokuroria në Prizren jep detaje për vdekjen e ish-prokurorit Matjani

Prokuroria në Prizren jep detaje për vdekjen e ish-prokurorit Matjani
Foto: Koha
12:35

Prokuroria në Prizren jep detaje për vdekjen e ish-prokurorit Matjani

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se sot rreth orës 9:30 personi me inicialet A.M, – ish prokuror është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren, pas raportimit nga anëtarët e familjes së tij.

“Me të marrë lajmin, prokurorja kujdestare së bashku me njësitet relevante policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, raporton Koha Ditore.

Prokuroria ka bërë të ditur se me urdhër të prokurores, trupi i viktimës do të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Më 5 nëntor të këtij viti, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Matjani. Ai dyshohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Më 22 nëntor në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Matjani e pati mohuar fajësinë për veprën, me të cilën ngarkohej nga Prokuroria.

12:31

Gjendet i vdekur ish-prokurori i Prizrenit Agron Matjani

Ish-prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Agron Matjani, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren mëngjesin e sotëm rreth orës 9:30.

I kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Shaban Osmanollaj, konfirmoi se autoritetet i janë përgjigjur rastit të një vdekjeje të dyshimtë dhe se ekipet relevante janë në terren.