U bënë thirrje qytetarëve të mos dalin për të votuar, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Gjakovë Foto: Driton Paçarada/Koha Ditore

U bënë thirrje qytetarëve të mos dalin për të votuar, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Gjakovë

18 November 2019 17:28

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për “Parandalim të ushtrimit të së drejtës për të votuar”.

Sipas një njoftimi nga kjo prokurori, aktakuza është ngritur ndaj H.A. dhe V.D..

Për të pandehurit H.A. dhe V.D. theksohet se më 5 tetor, në mbrëmje, ata kishin vënë afishe në Gjakovë duke bërë thirrje të mos dilet në zgjedhje. Sipas njoftimit, në afishe shkruhej “Kujdes votimi për ligjet e nxjerra nga njeriu është SHIRK, t’i bësh ortak All-ll ahut”.

“Të pandehurit H.A., dhe V.D., më 05.10.2019, rreth orës 22:00, në Gjakovë, në mënyrë të kundërligjshme, parandalojnë, pengojnë, duke ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2019. Të pandehurit kanë vepruar sipas marrëveshjes paraprake, duke i shumëzuar një numër të konsiderueshëm të afisheve, ku bëjnë thirrje votuesve për mos pjesëmarrje në votime, me mbishkrimin ‘Kujdes votimi për ligjet e nxjerra nga njeriu është SHIRK, ti bësh ortak All-ll ahut’, më pastaj i kanë shpërndarë ato në vende të ndryshme publike në Komunën e Gjakovës. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë përmbushur elementet e veprës penale ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’, nga neni 209 paragraf 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërsa për të pandehurin e tretë, M.A. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“I pandehuri M.A., më parë e deri më 06.10.2019, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka poseduar armë dhe municion, pikërisht një revole të markës Ekol Special 99 kalibër 9 mm, dhe një karikator të zbrazët . Arma dhe municioni i janë gjetur në shtëpinë e tij, ku edhe janë sekuestruar. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 366 paragraf 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme