Kronikë

Paraburgoset i dyshuari për sulmin ndaj prokurorit Atnor Skoro

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, i ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit me iniciale B.RR., nga fshati Kobaj, Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe veprës penale “kanosje”.

Rasti ka të bëjë me sulmin ndaj prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro.

B.RR. dyshohet se “me datë 30.10.2019, rreth orës 13:00, në rr. ‘Remzi Ademaj’ në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare të dëmtuarin me iniciale A.S. për shkak se ndaj të pandehurit më parë ishte zhvilluar një procedurë penale, ku i dëmtuari në këtë rast kishte përfaqësuar këtë lëndë në gjykatë, i pandehuri që nga ajo kohë vazhdimisht e kishte përcjellë të dëmtuarin duke menduar se lënda ishte e prokurorit në fjalë, deri në momentin e ditës kritike, në datën e lartcekur, përderisa i dëmtuari ishte duke u kthyer nga pauza për në punë, i pandehuri shfrytëzon momentin e volitshëm dhe me grusht e godet në anën e majtë të kokës me ç’rast si pasojë e goditjes i dëmtuari me iniciale A.S pëson lëndime trupore të konstatuar sipas raportit mjekësor të Spitalit Rajonal të Prizrenit”.

Ndërkaq, me datë 31.10.2019 në ora 15.00 në Prizren i pandehuri seriozisht i kanos personat zyrtarë në lidhje me punën dhe detyrën e tyre si persona zyrtarë, të dëmtuarit me iniciale S.K, F.SH dhe A.B., ashtu që përderisa të dëmtuarit ishin duke e kryer detyrën e tyre zyrtare për ta arrestuar dhe vënë nën kontroll të pandehurin, “i pandehuri fillimisht i drejtohet me fjalët kërcënuese të dëmtuarit me iniciale S.K. më pas i drejtohet edhe të dëmtuarve me iniciale F.SH. dhe A.B. me të cilat veprime tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e tyre”.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 31.10.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 31.11.2019.