Kronikë

Aktakuzë ndaj një aktivisti të LVV-së për “parandalim të ushtrimit të së drejtës për të votuar”

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Q.R., për shkak të veprës penale ‘’Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’’, nga neni 209 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, siç njofton kjo prokurori, i pandehuri Q.R., në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës, përkatësisht më 06 tetor 2019, rreth orës 9h, duke qenë aktivist i partisë Vetëvendosje dhe anëtar i Këshillit iniciues të kësaj partie, në pikën e votimit në fshatin Pozheran, në mënyrë të kundërligjshme ka ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesit.

“Në atë mënyrë që në oborrin e shkollës së mesme ‘’Kuvendi i Manastirit’’, e kishte ndalë bashkëfshatarin e tij L.A., me ç’rast të njëjtit i kishte dhënë dy letra, njëra me numrat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe tjetra si fotoalbum me të gjithë kandidatët për deputet nga ana e kësaj Partie, me qellim që i njëjti të votonte për kandidatët e këtij subjekti politik, të preferuar nga i pandehuri”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale të lartshënuar, prandaj prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të njëjtin t’a shpallë fajtor për këtë vepër penale.