Kronikë

Digjet vetura e kryebashkiakut të Vlorës

Një automjet në pronësi të Bashkisë së Vlorës, i cili përdorej nga kryebashkiaku Dritan Leli është djegur në orët e para të mëngjesit të sotëm, bën të ditur oranews.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:26 në lagjen "Lef Sallata", ku mjeti tip Range Rover ka qenë i parkuar.

"Më datë 10.10.2019, rreth orës 04:26, në lagjen "Lef Sallata" Vlorë pranë zyrave të punës, ka marrë flakë automjeti tip Range Rover në pronësi të Bashkisë Vlorë (mjet që përdorej nga Kryetari i Bashkisë Vlorë)" njofton policia.

Si pasojë e flakëve ka marrë zjarr edhe një automjet tjetër tip" Ford", parkuar në afërsi.

Drejtuesi i mjetit "Range Rover", shtetasi E.T (shoferi i Kryetarit të Bashkisë) e kishte parkuar mjetin pranë pallatit ku banon. Ndërsa mjeti tjetër tip "Ford" është në pronësi të shtetasit B.A.

Nga zjarri, të dy mjetet janë dëmtuar plotësisht.

Policia ka ngritur një grup hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme në lidhje me përcaktimin e shkakut dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Uniformat blu po kqyrin pamjet e kamerave të sigurisë përreth për të parë nëse djegia e mjetit ka qenë aksidentale apo është djegur qëllimisht.