Kronikë

Është arrestuar një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

Descriptive Text

Prishtinë, 4 tetor – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi për media bën të ditur se me urdhër të saj Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet R.D., i dyshuar se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” në kundërshtim me nenin 142 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, “Krime të Luftës në shkelje të rëndë” të Konventave të Gjenevës nga neni 144 i KPRK-së, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës nga neni 146 i KPRK-së, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë” të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtarë nga neni 147 i KPRK-së, dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokurori i rastit gjatë ditës do të bëjë kërkesë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit.

Njoftimi i Prokurorisë Speciale nuk saktëson identitetin e të arrestuarit, as vendin ku ka ndodhur arrestimi. Por, në raportin e sotshëm të Policisë së Kosovës, njoftohet për arrestimin e një boshnjaku në Istog, të dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Me gjithë përpjekjet e Koha.net që të marrë hollësi plotësuese nga policia rreth këtij rasti, nuk ia ka dalë.