Kronikë

Nis gjykimi ndaj Ilir Haxhiajt që e rrahu për vdekje gruan e tij

Rreth 4 muaj pas vdekjes së gruas me inicialet H. D. nga Rahoveci, është mbajtur seanca e parë gjyqësore, kundër të dyshuarit Ilir Haxhiaj, bashkëshort i së ndjerës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, Haxhiaj nuk e ka pranuar fajësinë, raporton KTV.

E në këtë seancë, avokati i autorizuar nga familjarët e viktimës, Zahir Hamza, ka kërkuar rikualifikim të veprës penale.

Ilir Haxhiaj, nga fshati Nepërbisht i Suharekës, është në paraburgim që nga 1 qershori dhe po akuzohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, vepër kjo e cila, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, mund të dënohet nga 5 deri në 15 vjet burgim.

Pas përfundimit të seancës, televizioni ka provuar që ta marrë një qëndrim edhe nga avokati Skënder Morina, që përfaqëson të akuzuarin, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës.

KTV-ja, javë më parë, kishte raportuar për ngritjen e aktakuzës, ku në arsyetimin e Prokurorisë thuhej se vepra është konstatuar pas dëshmive të djalit të së ndjerës, që kishte theksuar se nëna e tij ishte keqtrajtuar për vite me radhë, raportit të obduksionit dhe fotografive të trupit të viktimës.

H. D. nga Rahoveci kishte vdekur më 15 qershor, pas dy javë trajtimi intensiv në QKUK.