Për therje të nëntëfishtë me thikë dënohet me 100 orë punë, familja e viktimës kundër

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 13 September 2019 19:21

Nëntë plagë me thikë i kishte marrë i mituri A.A. në maj të këtij viti nga D.K, të dy nxënës të shkollës së bujqësisë “Abdyl Frashëri”në kryeqytet.

Viktima ishte dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lindita Asllani thotë se djali i saj do të ketë një ndërhyrje tjetër kirurgjike, raporton KTV.

Për veprën: lëndim i rëndë trupor, D.K., me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, do të kryejë 100 orë punë brenda një viti.

Por, me këtë vendim, nuk po pajtohet nëna e viktimës, Lindita Asllani, djali i së cilës u ther me thikë 9 herë.

Derisa thotë se ka dyshime edhe për mënyrën se si është kualifikuar vepra për të dyshuarin.

Avokati i kësaj familjeje, Mentor Neziri, thotë se vepra do të duhej cilësuar si vrasje e rëndë në tentativë.

“Unë habitem se si Prokuroria i propozon gjykatëses që dorasit t’i shqiptohet kjo masë. Fillimisht, do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit për të ndryshuar këtë masë dhe pastaj do të kërkojmë që lënda të kthehet në rivendosje”, ka thënë Neziri.

Si pasojë e kësaj përleshjeje, në maj të këtij viti, janë plagosur edhe dy nxënës të tjerë.

Atëkohë në drejtorinë e arsimit në Prishtinë kishin thënë se konflikti mes nxënësve nisi në hollin e shkollës, derisa ata i thoshin njëri-tjetrit “pse po më këqyr keq?”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme