Kronikë

Me Imer Shahinin nisi sot zbatimi i Marrëveshjes për ekstradim SHBA-Kosovë

Foto: Koha / ilustrim

Imer Shahini, i kërkuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mashtrime me miliona dollarë është shtetasi i parë i Kosovës, që u ekstradua në këtë shtet. Lajmin e konfirmoi edhe vetë ambasadori i SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett.

Kosnett me anë të një postimi në Twitter ka thënë se sot është ekstraduar një person i arratisur në Kosova për gjykim në SHBA.

“Në qershor, SHBA-ja dhe Kosova përfunduan Marrëveshjen për ekstradim. Sot e zbatuam atë për herë të parë për të kthyer një të arratisur nga Kosova në gjykim në SHBA. Kur e bëjmë sundimin e ligjit një prioritet të përbashkët, kriminelët përballen me drejtësinë dhe të dy shtetet janë të sigurta”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë me një aktvendim të datës 30.07.2019, ku thuhet se Shahini do të ekstradohet në SHBA, pas pretendimit të organeve të drejtësisë të këtij vendi për kryerjen e disa veprave penale.

Shahini është arrestuar me datë 11.06.2019, në Kosovë, pasi që është nën hetim nga autoritetet e drejtësisë në SHBA, nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale të mashtrimit me letra me vlerë dhe me transfere elektronike, raportuan mediat.

Marrëveshja për ekstradim mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fuqi në muajin qershor të vitit 2019.

Philip Kosnett, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,ka deklaruar se sot për herë të parë ka filluar të zbatohet marrëveshja për ekstradim në mes dy vendeve.