Kronikë

Nëntë të arrestuar për posedim të lëndëve narkotike

Descriptive Text

Nëntë persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë e Rahovec për posedim të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë në Prishtinë janë arrestuar dy persona pasi njërit i janë gjetur tri qese të vogla me substancë narkotike, një mulli për bluarje, tri cigare të gatshme, dy tabak me letër mbështjellëse dhe tre pako të vogël pika për sy. Ndërkaq personit tjetër gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë narkotike, një mulli për bluarje, dhe disa mbështjellëse.

Ndërkaq në fshatin Bërnjak të Rahovecit janë arrestuar shtatë persona.

Në rastin e parë është arrestuar i mituri pasi që gjatë kontrollimit të tij i janë gjetur dhe konfiskuar dy qese të mbushura me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 0.88 gr dhe një qese e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 0.27 gr.

Në një rast tjetër janë arrestuar tre të dyshuar, njeri prej tyre i mitur, pasi që gjatë kontrollimit të tyre u janë gjetur dhe konfiskuar një qese e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë me peshë rreth 0.44 gr dhe një paketim të plastikës me mbushje te lëngët të dyshuar narkotike.

Po ashtu në Bërnjak janë arrestuar tre të dyshuar pasi që gjatë kontrollit tek të njëjtit janë gjetur dhe konfiskuar 1.68 gr substance narkotike e llojit marihuanë.