“Na jep 50 mijë euro ose të vramë familjarët”, ishin këto kërcënimet që tre vëllezër gjobëvënës i bënin një shtetasi në Tiranë. Situata ishte bërë stresuese për qytetarin, i cili e referoi kanosjen në Tiranë.
Pas kallëzimit që qytetari bëri, u morën masat për identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të gjobëvënësve. Në kuadër të operacionit “Brothers”, ranë në pranga shtetasit Xh. T., 23 vjeç; E. T., 32 vjeç dhe A. T., 32 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Tiranë.
“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar t’i marrin në formë gjobe një shumë prej 50 mijë euro një shtetasi, nëpërmjet kërcënimeve të vazhdueshme për jetën e tij dhe të familjarëve”, raporton Tch.
Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.