Kronikë

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës ndaj ish-Drejtorit të Komunës së Prizrenit

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Hasan Hasanit, në cilësinë e ish - Drejtorit të Shërbimeve Publike pranë Komunës së Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hasani, në periudhën kohore janar të vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2016, në cilësinë e Drejtorit të Shërbimeve Publike pranë Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, “i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për persona tjerë juridik, ‘TV Opinion’ dhe ‘TV Besa’, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj”.

“Në atë mënyrë, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, ku vlera totale e kontratave me ‘TV Opinion’ dhe ‘TV Besa’ arrin shumën e 7000 € (shtatë mijë euro)”, thotë Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Me këto veprime, Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Hasan Hasani ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.