Ka kaluar më shumë se një muaj që nga vdekja e dyshimtë e A. D. nga Rahoveci, e cila ishte e martuar në fshatin Neperbishtë të Suharekës. Prokuroria Themelore në Prizren ende nuk ka pranuar raportin e obduksionit, ku tregohen detajet për vdekjen e 54-vjeçares.
Së paku kështu kanë deklaruar zëdhënës të Prokurorisë, në dy përgjigje me shkrim për televizionin, raporton KTV.
Më 1 korrik të këtij viti, KTV-ja ka dërguar pyetje te Prokuroria, por kjo ka thënë se ende nuk ka pranuar asgjë dhe rasti, si i tillë, mbetet në procedurë hetimore.
“Ju njoftojmë se raporti i obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ende nuk është dorëzuar në Prokurori dhe rasti, si i tillë, është në procedurë hetimore. Andaj, për momentin, nuk mund të japim të dhëna tjera”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale.
Një ditë pas, më 2 korrik, Gjykata në Prizren ka vendosur që t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për një muaj I. H., bashkëshortit të së ndjerës, i cili edhe është i dyshuar për vdekjen e saj.
“Vazhdohet paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve, i cili do të llogaritet prej datës 01.07.2019 dhe do të zgjasë deri më datën 01.08.2019”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prizren.
KTV-ja i ka dërguar sërish pyetje Prokurorisë më datë 17 korrik, për të parë nëse ka marrë ndonjë raport. Një ditë pas, Prokuroria ka thënë se ende është në pritje të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore.
“Ashtu siç jeni njoftuar nga komunikimi ynë i fundit lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se ende jemi në pritje të raportit të obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Rrjedhimisht, rasti është ende në fazën e hetimeve. Andaj, për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndërkaq, familjarë të viktimës, nëpërmes telefonit, kanë treguar se kur kanë kërkuar raportin e obduksionit, institucionet e drejtësisë në Kosovë u kanë thënë se ai i takon vetëm Prokurorisë.
A.D., 54-vjeçare, kishte vdekur më 15 qershor, pas trajtimit dyjavor në mjekimin intensiv në QKUK.
Familjarë të së ndjerës kishin rrëfyer për KTV-në, problemet që ajo kishte pasur me bashkëshortin dhe se e afërmja e tyre së pari ishte rrahur e më pas, duke u dërguar për në spital, kishte rënë nga vetura e bashkëshortit.