1 perditesime
22:35

Vdes në QKUK fëmija që u shpëtua në Gërmi

Gjatë ditës së sotme në pishinën e Gërmisë u raportua për përkeqësim të gjendjes shëndetësore të një fëmije 13 vjeçar, i cili, edhe pse u gjet pa shenja jete, mjekët e pishinës ia dolën që t’ia kthenin pulsin dhe ta kthenin në jetë dhe ta dërgonin në QKUK për trajtim të mëtejmë.

Por, nga QKUK-ja tashmë ka ardhur njoftimi se i njëjti nuk ka arritur të mbijetojë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën kishte arritur në Emergjencë.

Këtë e ka konfirmuar Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

“Ju konfirmojmë se, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, fëmija i cili ka ardhur në gjendje të rënduar shëndetësore, nuk ka arritur të mbijetoj”, ka konfirmuar Fazliu për KTV-në.

Ai ka thënë se me rastin tashmë është duke u marrë mjekësia ligjore.

16:05

I shpëtohet jeta një 13 vjeçari në pishinën e Gërmisë, u gjet pa shenja jete

Një fëmijë rreth 13 vjeçar është gjetur pa shenja jete në pishinën e Gërmisë.

Adoleshenti është reanimuar dhe i është kthyer pulsi nga mjekët në pishinë, ka thënë për KTV-në drejtoresha e ndërmarrjes “Sport Marketing” në Prishtinë, Mirlinda Sopi Kransiqi.

Sopi Kransiqi ka thënë se fëmija është alivanosur në platonë e pishinës dhe jo në ujë.

Ai është marrë më pas nga ekipe të mjekësisë urgjente dhe është dërguar për tretman në QKUK.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Daut Hoxha, për Koha.net ka thënë se në këtë rast kanë reaguar policia dhe ekipet e emergjencës.

“I njëjti është përcjellë për në Emergjencë”, ka thënë Hoxha, duke mos dhënë detaje tjera.