Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurve me iniciale L.H. dhe R.H. që të dy nga Republika e Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale, ‘lëndim i lehtë trupor’.
Sipas njoftimit, masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 15.06.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 15.07.2019.
Të dyshuarit më datën 15.06.2019, rreth orës 17:00, saktësisht në pikën kufitare në Vërmicë në bashkëveprim i kanë shkaktuar lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit me iniciale A.J.
Deri tek ngjarja njoftohet se ka ardhur pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me linjën e autobusëve për shkak se të pandehurit dhe i dëmtuari kanë kompani të transportit rrugor.
“Meqenëse të pandehurve nga ana e pikës kufitare në Vërmicë, nga ana e zyrtarëve të doganës i ishte bërë e pamundur hyrja në territorin e Republikës së Kosovës për shkak të mos pajisjes me leje përkatëse, ndërsa i dëmtuari ishte duke i kryer kontrollimet nga ana e zyrtarëve të Doganës dhe derisa i dëmtuari qëndronte afër bagazhit të automjetit të tij, të pandehurit e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grusht në pjesë të ndryshme të trupit, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore të përshkruar si në raportin mjekësor”, thuhet në njoftim.
Njoftohet se të njëjtit, po atë ditë, me qëllim të frikësimit e kanë kërcënuar duke i thënë se “nuk ke shans me hy në Kosovë me punu, se ne do të të vrasim”.