Kronikë

4 vjet e 6 muaj burgim pasi në 2017-n shkaktoi një aksident vdekjeprurës

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamentit i Përgjithshëm – Divizioni Penal, më 30 prill 2019, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Rr.Ç i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në komunikatë, thuhet se gjyqtari individual i Divizionit Penal Ilir Bytyqi, pas mbajtes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj.

|I pandehuri RR.Ç, akuzohet se në shkurt të vitit 2017, në magjistralen Ferizaj Kaçanik, duke drejtuar kamionin e markës “Scania A 4X2”, duke vepruar në kundërshtim me dispozitën ligjore nga neni 48 paragrafi 1.2.3 dhe nenit 242 të LSKRR-së, gjatë drejtimit të në rrugë publike nga pakujdesia ka ndërmarrë veprimin e frenimit të mjetit, ku si rezultat i këtij frenimi në fund të procesit nuk ka arrit të kontrollojë automjetin brenda shiritit të qarkullimit rrugor, mirëpo i njëjti kalon në shiritin e kundërt dhe ndeshet me automjetin e markës “VW Sharan”, i cili ishte duke lëvizur në shiritin e tij të lëvizjes dhe nga këto goditje përveç dëmeve të mëdha materiale, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar drejtuesi i makinës E.I pasagjerët J.I dhe N.I, ndërsa lëndime trupore pëson edhe i pandehuri”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.