Kronikë

Arrestohet 28-vjeçari shqiptar i akuzuar për terrorizëm

Arrestohet 28-vjeçari shqiptar i akuzuar për terrorizëm
 

Policia shqiptare njoftoi sot se në bashkëpunim me autoritetet e Drejtësisë italiane ka arrestuar 28-vjeçarin Bledar Ibrahimi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm. Ndaj Ibrahimit, nga Elbasani, kishte një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria italiane, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”.

I riu shqiptar kishte shkuar në Itali 8 vjet më parë. Këtu ai kishte rënë në kontakt me disa mbështetës të ISIS-it që vepronin në zonën e Lombardisë, të cilët rekrutonin dhe luftëtarë për të marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak. Ai mësohet se kishte shkuar më pas për “studime islamike” dhe për të mësuar gjuhën arabe në Egjipt. Në banesën e tij, polizia italiane kishte gjetur shumë materiale që e lidhinin atë me ekstremistët dhe elementë terroristë, gjurmë të kontakteve me fondamentalistë dhe video e fotografi që i thurnin lavde Jihadit, raporton Zëri i Amerikës.