Aktakuzë për inspektorin komunal dhe një afarist për ndërtesën 13 katëshe në Prizren Foto ilustrim

Aktakuzë për inspektorin komunal dhe një afarist për ndërtesën 13 katëshe në Prizren

23 April 2019 16:28

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një njoftimi për media, ka bërë me dije se Departamenti i Krimeve të Rënda i saj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.B. dhe F.H..

Ky i fundit, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor i ndërtimit komunal në Prizren, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa ky i dyti me inicialet F.H., për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë E.B., në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor i ndërtimit komunal në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare ekzekutive, ashtu që shkel ligjin për ndërtimin me nr.2004/2015 përkatësisht nenin 64 duke mos rrënuar objektin i cili nuk kishte fare leje ndërtimi, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin. Në atë mënyrë, i akuzuari E.B., nuk ndërmerr asnjë veprim për rrënimin të objektit ndërtimor të ndërtuar në lagjen ‘Jenimahall’ nga investitori me pronar F.H., i cili nuk ka pasur leje për trembëdhjetë (13) kate, por i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve duke mos sjellë konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje. Kështu, ka mundësuar dobi pasurore trembëdhjetë (13) kate për investitorin me pronar F.H.”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.

Me këtë, i akuzuari E.B., ka kryer veprën penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" nga neni 422 par. 1 të KPRK-ës.

“Ndërsa, i akuzuari i dytë F.H., me datë 03.06.2017 në kohë të pacaktuar heq ose dëmton vulën zyrtare apo shenjën e ngjitur nga zyrtari i autorizuar me qëllim të sigurimit të objektit, në atë mënyrë që pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunalë të ndërtimit në Prizren, sipas procesverbalit të Drejtorisë së inspektoriateve 0011996 të datës 30.03.2016, i pandehuri nuk i përfill vërejtjet e dhëna mbi ndalimin e punimeve në objektin e ndërtimit dhe vendosjen e shiritave. Në këtë mënyrë i heq shiritat e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit. Me këto veprime i akuzuari F.H., ka kryer veprën penale ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave’ nga neni 414 të KPRK-së”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë​, thuhet në fund të njoftimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Filani24/04/2019 14:24

E ka hanger ky shtet, ne cdo pore ka vetem krim e zhvatje. Na myten komandantat e marre.

Shto koment

Të ngjashme