Cilat akuza e rëndojnë Zlatan Kërstiqin, të dyshimtin për krime lufte Foto: Koha / ilustrim

Cilat akuza e rëndojnë Zlatan Kërstiqin, të dyshimtin për krime lufte

15 April 2019 11:01

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për të pandehurin Zlatan Kërstiq, i dyshuar për kryerje të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z.K në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të policisë dhe ushtrisë serbe në periudhën e luftës në Kosovë, saktësisht me datë 26 mars 1999, rreth orës 20:00 derisa ishte i veshur me uniforme të policisë serbe, i armatosur (me armatim dhe pajisje policore) me vetëdije dhe qëllim duke vepruar në grup sipas planit dhe urdhrave të eprorëve tjerë, kishin kryer vepra penale të privimit nga jeta të O.N, B.N, B.N dhe A.N, plagosjes, torturës, shkatërrimit e plaçkitjes, torturimit e maltretimit të skajshëm psikik e fizik, djegies së pronës dhe dëbimit ndaj familjes 19-anëtarësh nga fshati Nerodime e Epërme në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e dërguar medieve.

Sipas Gjykatës, është përmbushur kriteri për caktimin e masës së paraburgimit, ngase

ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti pas kryerjes së veprës penale për një kohë ka qenë në arrati dhe që nga pas lufta viti 1999 nuk ka jetuar në Kosovë.

Njoftohet se Kërstiq nuk ka vendbanim në Kosovë, dhe së fundmi ka jetuar në Kragujevc të Serbisë , pra i njëjti i është shmangur organeve të ndjekjes, dhe hetuesisë, po ashtu si shkak tjetër për caktimin e kësaj mase është sepse i njëjti dyshohet për vepër të rëndë penale, andaj po të gjendet në liri ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale.

Gjykata thotë se masa paraburgimit i është caktuar ngase ka gjithashtu arsye për të besuar se i njëjti mund të fsheh, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, si dhe të pengojë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar të cilët janë në njohuri për ngjarjen dhe bashkë me të pandehurit e tjerë të cilët janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme