Kronikë

30 ditë paraburgim pasi rrahu gruan e tij në Gjakovë

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditëve të pandehurit A.K.

Siç njofton komunikata, i pandehuri dyshohet se me datë 08 prill 2019, në banesën e tij në Gjakovë, pas një mosmarrëveshje paraprake, A.K., i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore bashkëshortes së tij M.P., duke e goditur me grushte nëpër trup, lëndime këto të konstatuara nga raportet fillestare të mjekut, me ç’rast të dëmtuarës M.P. është dashur t’i jepet trajtim mjekësor.

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për burrin që rrahu gruan në Gjakovë

“Me këto veprime dyshohet se i pandehuri A.K. ka kryer dy vepra penale, lëndim i lehtë trupor, vepër kjo e sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 08 prill 2019 dhe do të zgjasë deri më 08 maj 2019”, thuhet në komunikatë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.