Disa raste të zjarrvënieve janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.
Në një rast në Lipjan, një ankues ka raportuar në Polici se është përfshirë nga zjarri pylli i tij, për shkaqe të panjohura deri tash. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa është lokalizuar zjarri nga zjarrfikësit.
Dy raste të zjarrvënieve janë raportuar në Kamenicë. Në rastin e parë një shqiptar është ankuar se për shkaqe të panjohura është përfshirë nga zjarri pylli i tij, me ç’rast zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin. Në rastin e dytë një serb ka raportuar në polici se ishte përfshirë nga zjarri një hapësirë prej 1.60 ari mal. Edhe këtu është lokalizuar zjarri. Nuk raportohet për të lënduar në asnjërin rast.
Në Istog, është arrestuar një i dyshuar pasi kishte ndezur zjarrin me qëllim të pastrimit të arës, me ç’rast zjarri ka përfshirë një shtyllë elektrike. Zjarri është lokalizuar, ndërsa i arrestuari është liruar në procedurë të rregullt.
Zjarrvënie ka pas edhe në Gjakovë. Aty raportohet se në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri një shtëpi ku lëndime trupore kanë pësuar pesë persona të komunitetit ashkali, të cilët janë dërguar në tretman mjekësor. Njësitë përkatëse, zjarrfikësit dhe njësiti i KEDS-it kanë dal në vende ngjarje, sipas njoftimit nga policia. Njësit e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin.
Në Vushtrri, një punëtor i KEDS-it ka raportuar se nga zjarri janë dëmtuar gjashtë shtylla elektrike me përçues dhe izolator duke lënë shtëpi pa rrymë. Nuk raportohet për të arrestuar.
Me zjarre fushore janë përballur edhe zjarrfikësit në Prishtinë, ku vetëm gjatë vikendit janë shuar 36 zjarre fushore.