Arrestohen tre pjesëtarë të grupit kriminal, konfiskohen armë, barna e para Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Detajet e Policisë rreth arrestimit të tre personave dhe konfiskimin e armëve dhe barnave

22 March 2019 12:51
15:22

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka arrestuar 3 persona nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, transmeton Koha.net.

“Gjatë realizimit të hetimeve dhe zhvillimeve në terren, si pjesë e këtij operacioni policor janë përfshirë edhe Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar (DKKO) dhe institucionet tjera kompetente, që merren me trajtimin e produkteve medicinave”, njofton Policia.

Personat e arrestuar janë:

B. S. viti i lindjes 1982 m/k/sh

S. S. viti i lindjes 1985 m/k/sh

F. H. viti i lindjes 1963 m/k/sh

“Pas angazhimit sistematik hetimor të zyrtarëve kompetentë nga Policia e Kosovës, dhe aplikimit të teknikave të avancuara me masa të fshehta si dhe Urdhëresave nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka rezultuar se kemi të bëjmë me një grup të organizuar i përbërë nga personat e dyshuar të përmendur më lartë të cilët janë ndaluar u janë kontrolluar veturat që ishin në pronësi të tyre, po ashtu është bërë kontrollimi i lokacioneve ku dyshohej se personat e dyshuar kanë fshehur (deponuar) barnat të cilat dyshohet se kanë qenë të kontrabanduara dhe të njëjtat janë shpërndarë nga të dyshuarit në fjalë, tek shitësit ambulant dhe në barnatore të ndryshme në tërë Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në raportin e Policisë.

Gjithashtu, gjatë operacioni Policia ka sekuestruar gjërat si më poshtë:

- Pistoleta (‘Glock Austria’) 29

- Pistoleta (‘Sig-Sauer’) 70

- Fishekë te kalibrit 9mm, 303 copë.

- Fishek të kalibrit 7.65 mm, 417 copë

- Fishek të kalibrit 6.35 mm, 5 copë

- Veturë e tipit ‘BMW’ 740, me targa 671-KS-969

- Veturë e tipit ‘Audi’ A3, me targa 01-337-IL

- Veturë e tipit ‘Opel Corsa’, me targa 01-806-LK

- DVR (regjistrues i kamerave të sigurisë), 2 copë

- Barna (Tamol – XX 200 mg.) 4810 paketime.

- Barna (Camagra Shampon) 3012 paketime.

- Barna (të ndryshme) 3000 paketime.

- Dorëza medicinale 5 paketime

- Detergjent i lëngshëm i hasur pa deklaracion – i dyshuar si i kontrabanduar (dyshohet se iu është ndryshuar afati i skadencës).

Policia e Kosovës, po ashtu, njofton se do të ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore, pasi që dyshohet se të dyshuarit kanë vepruar si grup kriminalë i organizuar dhe i strukturuar, dhe se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Pas intervistimit të dyshuarit me urdhër të prokurorit kompetent janë dërguar në qendër të mbajtjes për 48 orë.

12:51

Arrestohen tre pjesëtarë të grupit kriminal, konfiskohen armë, barna e para

Policia e Kosovës përmes një operacioni të gjerë ka arrestuar disa persona që janë pjesëtarë të një grupi kriminal.

Drejtori i Departamentit për Krime Ekonomike, Bashkim Spahiu në një konferencë për media ka thënë se janë konfiskuar 99 copë armë të shkurta, barna e të tjera gjëra.

“Dje hetuesit fillimisht e kanë ndalë një veturë të dyshimtë Audi A3 ku gjatë kontrollit ka gjetur një sasi barnash të dyshuara për kontrabandim. Në një lokacion janë konfiskuar mbi katër mijë paketime barna të një lloji, tre mijë e 12 paketime të një lloji tjetër, rreth tre mijë paketime të një lloji detergjenti dhe barna të ndryshme”, ka thënë ai në konferencë.

Po ashtu, janë konfiskuar pesë mijë euro të gatshme e dorëza medicionale.

“Në cilësi të provave janë konfiskuar pesë mijë euro para të gatshme dhe dorëza medicinale. Policia ka konfiskuar 99 armë – 29 pistoleta të llojit Glok, 70 pistoleta të tjera dhe sasi municioni, si dhe tre vetura”, ka thënë ajo.

Ajo çka dihet deri tani është se bëhet fjalë për një grup kriminal, ku prej tyre janë arrestuar vetëm tre persona.

Ndërsa, priten edhe arrestime të tjera të këtij grupi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme