Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Prokuroria kërkon paraburgim për shoferin e kamionit që shkaktoi dje një aksident të rëndë në Gjilan

Foto: Koha

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj shoferit të kamionit, të dyshuarit M.A. nga Peja, i cili dje shkaktoi një aksident tragjik në Gjilan, për shkak të dyshimit të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Prokuroria bën me dije se në Gjilan, dje, më 7 mars 2019, rreth orës 14:05 minuta, i dyshuari M.A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, në të cilin një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Dyshohet që i dyshuari M.A., për shkak të problemeve teknike të kamionit – mosfunksionimi i sistemit të frenimit, gjatë drejtimit të kamionit, pronë e SH.P.K. ‘VEV GROUP’ - Prishtinë, e ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, ashtu që duke lëvizur në drejtim të qendrës së qytetit, fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe fillimisht tek hyrja e stacionit e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, pastaj tek dalja e stacionit e godet mbrapa automjetin tjetër, i cili ishte duke lëvizur para tij, të cilin e shtyn deri tek vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës ‘Çoçaj’, ku aty i godet dy të dëmtuar, të cilët ishin duke ecur në trotuar, me ç’rast në mesin e tyre ishte edhe tani i ndjeri Q.Ç., i cili për shkak të lëndimeve të pësuara, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë”, njofton Prokuroria Themelore e Gjilanit.

Pastaj, sipas Prokurorisë, i njëjti ka vazhduar në të njëjtin drejtim duke goditur edhe automjete tjera dhe në fund godet një traktor i cili ishte kyçur në rrethrrotullim, duke përfunduar në trotuar, përballë hotelit ‘Kristal’.

Si pasojë e kësaj, përpos lëndimeve të natyrës vdekjeprurëse, lëndime të lehta kanë pësuar 23 persona, kurse lëndime të rënda trupore kanë pësuar 3 persona, të cilët edhe janë transferuar në QKUK, në Prishtinë.