Kronikë

3 vjet e 6 muaj burgim personit që goditi me veturë për vdekje dy gra në rrugën “B”

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit L.M.

I akuzuari L.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik nga neni 378 par. 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës’.

“Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 22.10.2018 e deri më tani, ndërsa i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet që të mbrohet në liri nga data 04.03.2019”, thuhet në komunikatë.

I akuzuari L.M, thuhet tutje, është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në rrugën B – afër “Royal Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos u dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret L.A dhe F.R e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar jetë në QKUK.

LEXO EDHE KËTO: Vdes njëra nga dy gratë që u goditën nga vetura në “Rrugën B” në Prishtinë

Vdes edhe gruaja tjetër që u godit nga vetura në “Rrugën B” në Prishtinë

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civilo-juridik.

Në fund të komunikatës së Gjykatës Themelore, thuhet se pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.