Kronikë

Shtetasi i Kosovës vdes në aksidentin në Hungari, momentet e fundit u dokumentuan me video “live” në Facebook

Një shtetas i Kosovës me inicialet B.M ka vdekur në një aksident trafiku që ndodhi të hënën në Hungari.

I shoqëruar me dy persona të tjerë, B.M pak para aksidentit udhëtimin e tij në Szigetszentmiklós e dokumentoi me një video të drejtpërdrejtë në Facebook në të cilën shihej se ai po voziste me shpejtësi së paku deri në 160 kilometra në orë.

Sipas mediave hungareze vetura si pasojë e shpejtësisë së madhe ka përfunduar në shiritin e kundërt të rrugës.

Dy personat tjerë kanë pësuar lëndime trupore, por janë jashtë rrezikut për jetë.

Portali Koha.net ka tentuar të marrë informacione nga Ministria e Punëve të Jashtme, por zyrtarët e saj kanë qenë të paqasshëm.