Arrestohet personi ndaj të cilit kishte flet-arrest ndërkombëtar, kishte marrë pjesë në një vrasje të rëndë Foto: Ilustrim

Arrestohet personi ndaj të cilit kishte flet-arrest ndërkombëtar, kishte marrë pjesë në një vrasje të rëndë

08 February 2019 15:01

Policia e Kosovës, pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë të ILECU-t me autoritetet e disa shteteve, ka arritur ta identifikojë dhe më pas të lokalizojë vendin ku qëndronte i dyshuari B. M. lindur me 1982 mashkull/shtetas i Kosovës, ndaj të cilit ishte lëshuar letër- rreshtimi ndërkombëtar.

Siç njofton policia, i dyshuari B. M. ishte në kërkim nga autoritetet vendore që nga viti 2007, pasi i njëjti dyshohej se ishte i përfshirë vite më herët në rastin penal ‘ndihmesë në vrasje të rëndë’, dhe që nga viti 2006 ishte dënuar me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë, me 4 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim në vitin 2004.

“Ndërsa në vitin 2007 Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykim ka rritur dënimin nga 4 vjet, në 12 burgim dhe njëkohësisht me aktvendim ka urdhëruar që i akuzuari të dërgohet në mbajtje të dënimit, mirëpo aktvendimi nuk ka arritur të ekzekutohet, pasi i njëjti dyshohej se ka qenë jashtë vendit. Meqë personi i dyshuar dyshohej se ishte jashtë vendit kanë vazhduar procedurat e shpalljes së letër-rreshtimit ndërkombëtar dhe që nga ajo kohë i dyshuari ka qenë në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në raport të PK-së.

Policia e Kosovës , përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU-t) dhe njësisë FAST Kosova, në disa shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës kanë bërë kërkimin e personit të dyshuar si dhe kanë verifikuar e shkëmbyer informacione me interes të përbashkët, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personit të dyshuar.

Në nëntor të vitit 2018 PK-ja thotë se ka pranuar informacion se i dyshuari ndodhej duke punuar në Gjermani, por me identitet të falsifikuar shqiptar dhe për këtë janë kryer verifikimet në dy shtete, në Gjermani dhe në Shqipëri.

Informacionet dhe verifikimet zyrtare kanë rezultuar të drejta dhe FAST Gjermania kishte filluar të merrej me rastin, i cili ka rezultuar me arrestimin e tij dje me 7 shkurt 2019.

Policia e Kosovës përmes institucioneve relevante ka filluar me procedurat e ekstradimit të personit të dyshuar.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të parandalimit të krimit, arrestimit të kryerësve të veprave penale si dhe krijimi të një ambienti sa më të qetë dhe të sigurt për qytetarët”, përfundon njoftimi i PK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme