Kronikë

Aktakuzë kundër kirurgut të Spitalit të Pejës për ngacmim seksual

Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, N.B., për veprën penale “Ngacmimi”, nga neni 186, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.B. nga muaji gusht i vitit 2018 e në vazhdimësi ngacmon të dëmtuarën S.M., në atë mënyrë që pasi e njëjta kishte filluar punën praktike në Spitalin Regjional të Pejës, edhe përkundër refuzimit të saj, i pandehuri në vazhdimësi i shkruan në telefon mesazhe me përmbajtje ngacmimi, dhe me datën 3 shtator të vitit 2018, i pandehuri i shkruan edhe një letër me përmbajtje ngacmuese të cilën ja kishte dhënë dëshmitares A.K, për t’ia dërguar të dëmtuarës S.M., dhe pasi që kjo e fundit e kishte lexuar të njëjtën e kishte grisur, ndërsa me vonë e kishte raportuar rastin në polici.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatën e kësaj prokurorie.

I akuzuari në këtë rast është kirurgu i nacionalitetit boshnjak N.B. nga fshati Vitomiricë të Pejës, që punon në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Në këtë spital thonë se nuk janë të njoftuar për këtë aktakuzë të ngritur ndaj kirurgut boshnjak N.B.

“Spitali nuk është i njoftuar me aktakuzën. Kur ta marrim, do ta shqyrtojmë dhe organet vendimmarrëse të spitalit do te veprojnë në kuadër të kompetencave ligjore”, tha për Kohën Ditore, zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Naim Sahiti.