Kronikë

Aktakuzë ndaj të pandehurve që tentuan të kontrabandonin dy persona në Zvicër

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve E.S. dhe A.B., për shkak të veprës penale ‘’Kontrabandim me migrantë’’, nga neni 170 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 21 dhjetor 2018, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, të pandehurit E.S. dhe A.B., në bashkëveprim, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar, kanë tentuar të kryejnë kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që paraprakisht i pandehuri A.B., kishte kontaktuar me të dëmtuarit L.T. dhe T.TH., për dërgimin e tyre në shtetet perëndimore, përkatësisht në shtetin e Zvicrës.

Për këto shërbime, i dëmtuari T.TH. duhej të paguante shumën prej 3,500 euro, ndërsa i dëmtuari L.M., të paguante shumën prej 4,000 euro, pasi që të arrinin në shtetin e Zvicrës.

I pandehuri A.B., në datën e lartshënuar, i kishte sjellë të dëmtuarit deri tek restorant ‘’Victoria’’, afër vendit të quajtur ‘’Crep’’, në Kamenicë, ku pastaj nga aty për në Serbi, i kishte shoqëruar i pandehuri tjetër E.S., por që në pikën kufitare Kosovë – Serbi janë hetuar nga policia e Kosovës dhe janë kthyer në Kosovë.

Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën e lartshënuar penale, e cila ka ngelur në tentativë.

me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për këtë vepër penale dhe t’iu shqiptojë sanksion penal me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.