Kronikë

Vjet në Shqipëri kishte 51 vrasje, një më shumë se më 2017

Instituti i Statistikave ka publikuar statistikat e krimeve për tremujorin e katërt të vitit 2018. Duke iu referuar shifrave të INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2018, janë evidentuar gjithsej 8.485 vepra penale, duke shënuar rritje me 0,1%, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Ndërsa për vitin 2018, janë evidentuar gjithsej 34.468 vepra penale, 0,4% më shumë krahasuar me vitin 2017.

Në vitin 2018 janë evidentuar 51 vrasje me dashje, një vrasje më shumë, krahasuar me vitin 2017. Për grupveprën penale ‘vrasje mbetur në tentativë’, në këtë periudhë janë evidentuar 25 vepra, 3 më shumë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Numri i vrasjeve mbetur në tentativë, në vitin 2018, është 114 vepra, me një rënie me 11,6 %, krahasuar me vitin 2017, transmeton "Koha Jonë".

Numri i veprave penale të rënda kundër pasurisë, në këtë tremujor është 26, duke shënuar rënie me 16 vepra, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Kjo grupvepër përfshin veprat penale vjedhje me dhunë, vjedhje me armë dhe vjedhje me pasojë vdekjen. Për këtë kategori, në vitin 2018, janë evidentuar 111 vepra, me një rënie me 32,3%, krahasuar me vitin 2017.

Në tremujorin e katërt 2018, janë evidentuar 28 krime me natyrë seksuale, 7 më shumë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Për grupveprën penale krime seksuale, në vitin 2018, janë evidentuar 110 vepra, 3 më pak, krahasuar me vitin 2017.

Numri i veprave penale në fushën e drogës, në tremujorin e katërt 2018, është 462 vepra, duke shënuar një rritje me 1,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Këtu përfshihen veprat prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kultivimi i bimëve narkotike dhe trafikimi i narkotikëve. Në vitin 2018, janë evidentuar 1.972 vepra penale në fushën e drogës, me një rënie me 7,0%, krahasuar me vitin 2017. Në këtë periudhë janë evidentuar 66 vjedhje të automjeteve, dy më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Për të njëjtën vepër, në vitin 2018, janë evidentuar 252 vepra, duke shënuar rënie me 23,4%, krahasuar me vitin 2017.