Së paku 10 të lënduar nga shpërthimi i bombolës në Ratkoc Foto: Koha

Kryetari Latifi thotë se të gjithë të lënduarit në Ratkoc janë në gjendje të mirë

18 January 2019 21:09
23:12

KTV-ja po qëndron në Ratkoc të Rahovecit, atje ku pak më herët shpërtheu një bombolë.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, tha se ka takuar personat e lënduar nga ky shpërthim por fatmirësisht, gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

Djali i pronarit, është një prej tre të lënduarve i cili gjendet ende në spital, ndërsa shtatë të tjerë, janë liruar më herët.

“Të gjithë janë duke u trajtuar, ka djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Kanë marrë terapitë e nevojshme. Lokali ka marrë dëmtime por e rëndësishme është se njerëzit s’kanë marrë lëndime të rënda. Shpresoj se do të kthehen shpejtë në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Latifi ka thënë se gjendja e djalit të pronarit të këtij lokali, fatmirësisht nuk është aq e rëndë dhe se është duke u trajtuar.

22:19

Pamje pas shpërthimit të bombolës në Ratkoc

Policia ka përditësuar informatat nga ngjarja që ndodhi në fshatin Ratkoc të Rahovecit, kur në një gjellëtore shpërtheu një bombol gazi.

Zyra për media e Policisë rajonale i ka thënë KTV-së se numri i personave të lënduar që kanë kërkuar ndihmë në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për këtë rast janë 11 persona.

“Katër prej tyre janë hospitalizuar ndërsa të tjerët pas marrjes së tretmanit mjekësor janë liruar për në shtëpi. Edhe katër personat e hospitalizuar janë jashtë rrezikut për jetë sipas personelit mjekësor”, ka thënë për KTV-në, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimja.

Nga atje vijnë pamje të reja që shpërfaqin gjendjen të cilën e ka shkaktuar shpërthimi i bombolës.

Ekipi i KTV-së është nisur për në fshatin Ratkoc për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjes që tronditi këtë fshat të madh të Rahovecit, të cilat do të paraqiten në Interaktiv, nga ora 23:00.


Latifi viziton vendin e ngjarjes së shpërthimit të bombolës së gazit

Smjal Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, që po ashtu është nga fshati Ratkoc ku ndodhi shpërthimi i bombolës së gazit, ka vizituar vendin e ngjarjes.

“I shqetësuar u informova rreth shpërthimit të bombolës së gazit në Ratkoc! Isha në vendin e ngjarjes ku pashë nga afër pasojat - fatmirësisht të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë!”, ka thënë Latifi.

 

21:41

Tre persona të lënduar mbesin në Spital, shtatë lirohen pas mjekimit

Siç merr vesh Koha Ditore, 7 nga 10 personat e lënduar në Ratkoc të Rahovecit janë liruar nga Spitali i Gjakovës, pas trajtimit mjekësor që kanë marrë.

Ndërkaq tre të tjerë po vazhdojnë mjekimin në këtë Spital, në Kirurgji, për shkak të djegieve që kanë pësuar.

Këto i ka bërë të ditura për Koha Ditore drejtori i spitalit rajonal të Gjakovës, Ahmet Asllani.

21:09

Së paku 10 të lënduar nga shpërthimi i bombolës në Ratkoc

Policia ka konfirmuar lëndimin e së paku 10 personave, sonte në mbrëmje, pas një shpërthimi në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Një bombolë ka shpërthyer në një lokal të fshatit.

“Me datë 18.01.2019 në ora 19:55 min, përmes telefonit Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar një informacion se në fshatin Ratkoc në një lokal (qebaptore) “Te Dollari” ka ndodhur një shpërthim që dyshohet të jetë nga bombola gazi, nga ky shpërthim dyshohet se janë lënduar disa persona (rreth 10 persona të cilët janë dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë), patrullat policore menjëherë janë dalë në vend të ngjarjes, kanë bërë sigurimin e vendit”, ka thënë për KTV-në, zëdhënësja rajonale e Policisë, Lirie Podrimja.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se të lënduarit sipas mjekut janë për momentin jashtë rrezikut për jetë, por nëntë prej tyre po mbahen në trajtim mjekësor.

Mësohet se të lënduarit janë nga fshati Ratkoc dhe Dejnë.

KTV raporton se bombola ka shpërthyer në bodrum, me ç’rast i ka lënduar personat dhe disa vetura.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme