Gjilan, 1 vit burgim zyrtarit të komunës që u kap duke marrë 2,000 euro ryshfet Foto: Koha / ilustrim

Gjilan, 1 vit burgim zyrtarit të komunës që u kap duke marrë 2,000 euro ryshfet

05 dhjetor 2018 15:58

Bashkim Bunjaku, pak orë pasi pranoi fajësinë në seancën e paradites për veprën penale marrje ryshfeti, u dënua nga Gjykata e Gjilanit me 1 vit burgim dhe 1000 euro gjobë.

Po ashtu si dënim plotësues atij iu shqiptua edhe masa e ndalimit të ushtrimit të detyrës në administratë publike dhe shërbim publik në afat prej 1 viti pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi Kryetar, Naser Maliqi e Menderes Behluli anëtarë, njoftuan se i pandehuri shpallet fajtor mbi bazën e pranimit të fajësisë dhe provave materiale, raporton Kallxo.com.

Pranimi i fajësisë dhe fakti që i akuzuari nuk ka qenë më parë i dënuar për ndonjë vepër penale janë marrë nga gjykata si rrethana lehtësuese nga gjykata.

Kurse si rrethanë rënduese mori parasysh faktin se i pandehuri e ka kryer veprën në dashje direkte me qëllim përfitimi pasuror.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arben Kadriu thuhet se Bashkim Bunjaku akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti sepse në cilësinë e zyrtarit për tatim në pronë, pranë Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në shumë prej 2000 euro nga Arbër Emini.

Ai akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në kuadër të autorizimeve të tij të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare për ta bërë pagesën nga llogaria e komunës për kompensim për shpronësimin e tokës së Ragip Rashitit në vlerë prej 65.072,00 euro dhe pasi që Ragip Rashitit i është bërë më shumë se gjysma e pagesës së kompensimit, më 22 qershor 2018, në orën 11:45 në Gjilan në parkingun e një pompe të benzinës , pas marrëveshjes paraprake janë takuar me të dëmtuarin Arbër Emini, ku i pandehuri Bashkim Bunjaku i mori të hollat nga ai në vlerën prej 2000 eurosh, dhe pas intervenimit nga Policia e Kosovës u arrestua dhe iu sekuestruan të hollat.

Operacioni i arrestimit të Bunjakut ishte transmetuar në një hulumtim të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në shtator të këtij viti.

Kundër këtij vendimi palët mund të ushtrojnë ankesë gjykatë të Apelit, brenda 15 dite nga pranimi i këtij vendimi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme