Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditëve të pandehurit SH. Z. të cilit më 24 nëntor iu gjetën në një çantë pesë paketime të heroinës në sasi prej 5.1 kilogramësh.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Sh. Z., pasi që për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe po që se i njëjti gjendet në liri, mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.