Gardiani serb e zyrtari shqiptar në Ministrinë e Diasporës arrestohen për ryshfet

Ministria e Diasporës pezullon zyrtarin e saj të dyshuar për ryshfet

08 nëntor 2018 13:30
17:01

Ministria e Diasporës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka pezulluar zyrtarin e saj Petrit Mustafa, i dyshuar për marrje/dhënie të ryshfetit.

“Me datën 08.11.2018 duke marrë për bazë sistemin e vijueshmërisë në punë të hyrje daljeve dhe shkrimeve të mediave elektronike në lidhje me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprat penale ‘marrje ryshfeti’, dhënie ryshfeti dhe përvetësim në detyrë ka kërkuar sqarim zyrtar nga policia e Kosovës nëse i arrestuar është për punonjësin e saj P.M. , zyrtar në MDIS”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se si rezultat i informatës së dërguar nga policia e Kosovës ku thuhet se bëhet fjalë pikërisht për të dyshuarin P.M., zyrtar në Ministrinë e Diasporës, është informuar Ministri i Diasporës dhe investimeve Strategjike, dhe ka kërkuar nga sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë që të marrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi.

“Sekretarja e Përgjithshme e MDIS, bazuar në ligjet e aplikueshme ka marrë vendimin e menjëhershëm për pezullimin parandalues të zyrtarit P.M. nga detyrat si zyrtar në MDIS deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente”, thuhet në komunikatë.

13:59

Mësohen emrat e zyrtarëve që u arrestuan për ryshfet

Të mërkurën Policia e Kosovës i ka arrestuar dy zyrtarë publik bazuar në dyshime për dhënie e marrje ryshfeti.

Siç ka mësuar “Koha Ditore” të arrestuar janë Stefan Veliqkoviq dhe Petrit Mustafa.

Veliqkoviq është gardian në Burgun e Sigurisë se Lartë në Dyz ndërsa Petrit Mustafa është zyrtar i Ministrisë se Diasporës.

Burime të gazetës bëjnë me dije se Mustafa i ka dhënë ryshfet Veliqkoviqit që të ia mundësojë arratisjen një të burgosuri serb nga Dyzi.

Këtë arrestim për gazetën e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha. Sipas tij këta dy zyrtar të arrestuar janë në mbajtje dhe se nesër pritet që gjykata të vendos në lidhje për masën e paraburgimit.

Berisha ka konfirmuar se arsye e këtij arresti është dyshimi se të dy në bashkëveprim kanë tentuar të organizojnë arratisjen e një të burgosuri.

“Gardiani ka pranuar ryshfet që ta ndihmojë të burgosurin Mario Millosheviq që të arratiset nga Dyzi”, ka thënë ai. Berisha ka deklaruar se për momentin nuk mund të japin me shumë informacione për shkak se janë në fazë të hershme më hetimit.

Kujtojmë se Mario Millosheviq ishte arrestua nga Policia e Kosovës në korrik të këtij viti.

Aksioni i Policisë kishte ndodhur në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, ku në Lagjen Emshir të Prishtinës, vunë në pranga shtetasit malazias që përveç tjerash akuzoheshin edhe për veprat penale: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës’.

Millosheviq gjithashtu dyshohet për vrasjen e Cetinjanin Radomir Gjuriçkoviq në tetor të vitit 2016.

Për Millosheviqin, INTERPOL-i kishte lëshuar fletëarrest ndërkombëtar./Saranda Ramaj/

13:30

Gardiani serb e zyrtari shqiptar në Ministrinë e Diasporës arrestohen për ryshfet

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka arrestuar dy persona për marrje të ryshfetit.

Të arrestuarit janë një burrë serb, gardian në Shërbimin Korrektues të Kosovës, dhe një shqiptar, zyrtar në Ministrinë e Diasporës, transmeton Koha.net.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me datën 7 nëntor 2018, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘marrje ryshfeti’ Neni 428, ‘dhënie ryshfeti’ Neni 429 dhe ‘përvetësim në detyrë’ Neni 425”, thuhet në komunikatë.

Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë:

V. m/k/serb – Gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës

M. m/k/shqiptar – Zyrtar në Ministrinë e Diasporës

Policia bën të ditur se të dyshuarit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer veprat e lartcekura, duke shkëmbyer (dhënien) e parave në shumë prej 3.000,00 (tre mijë euro) para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Më tutje bëhet e ditur se njësitet relevante policore janë duke kryer hetime intensive lidhur me këtë rast, duke përfshirë edhe hetimet ndaj mundësisë së organizimit të ndonjë tentim ikjeje të personit të paraburgosur në fjalë

Ndaj të dyshuarve pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme