Të paktën 3 të arrestuar janë deri më tani nga aksioni i policisë në Krushopek të Sarajit (Maqedonia e Veriut) për kapjen e 1.3 ton kokainë. Top Channel ka siguruar ekskluzivisht edhe fotot e kokainës që u sekuestrua në kamionin e ngarkuar me banane dhe që kishte hyrë nga Mali i Zi dhe më pas doli nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoni të Veriut.
Në këtë aksion të mirëorganizuar kanë qenë në dijeni të ngarkesës Policia Italiane si dhe ajo Shqiptare që kanë marrë pjesë në aksion. Aksion policor është zhvilluar në Krushopek të Sarajit dhe në të ka marrë pjesë edhe drejtoria shqiptare kundër krimit të organizuar.
Policia Shqiptare me një grup ekspertësh shumë të besuar thanë burime të TCH, u përfshi me kërkesë të partnerëve që kanë kërkuar ndjekjen e kamionit dhe vëzhgimin, teksa superaksioni ishte në zhvillim e sipër.
Informacionet e para thonë se kokaina fillimisht ka ardhur nga Amerika në Tivar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Për arsye të panjohura për momentin, destinacioni është ndryshuar dhe kokaina ka përfunduar në Krushopek. Top Channel mëson se kur ka hyrë në Shqipëri, policia e ka vrojtuar, në rast se kokaina do shkarkohej në vend. Kamioni ishte me targa maqedonase ndërsa në Shqipëri nuk ka ndaluar.
Për sekuestrimin e 1.3 ton kokainë u organizua një operacion ndërkombëtar ku morën pjesë DEA amerikane, Guardia di Finanzia, Policia e Shtetit e polici të tjera të vendeve të rajonit.
Kamioni me banane ku ishte fshehur sasia e madhe e drogës kaloi edhe përgjatë territorit shqiptar, por agjentët e policisë nuk vepruan. Kjo për të parë se kush e kishte porositur lëndën narkotike.
Droga erdhi nga Mali i Zi nëpërmjet pikës kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër dhe doli nga pika kufitare e Qafë Thanës, duke hyrë në Maqedoninë e Veriut.
Destinacioni final i saj ishte Sllovenia. Sipas informacioneve të marra, kokaina vinte nga Amerika Latine. Pasi kamioni u ndal në një magazinë frutash në Krushopek të Sarajit (Maqedonia e Veriut), policia ndërhyri.
Tre persona ranë në pranga, dy shoferë dhe një magazinier, që punonin në këtë magazinë. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë, pjesë të rrjetit kriminal që solli drogën.