Një person është arrestuar nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 në rajonin e Prizrenit.
Policia nuk ka njoftuar të dielën se kur dhe ku është arrestuar i dyshuari, megjithatë thuhet se me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë e kanë konfirmuar se tashmë është mbajtur seanca për masën e sigurisë për të dyshuarin nga rajoni i Prizrenit.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate, tha për KOHËN se i dyshuari do të vazhdojë të jetë në mbajtje me vendim të Prokurorit të Shtetit deri në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë lidhur me të, që do të merret të hënën.