Ndalohen për 48 orë dy të dyshuara për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në kopsht

Ndalohen për 48 orë dy të dyshuara për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në kopsht
Dy të dyshuara për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në çerdhen publike “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë, janë ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka intervistuar lidhur me këtë rast tre persona të dyshuar, dy edukatore e një kuzhiniere.
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale 'Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike', dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave: N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, raporton Policia e Kosovës.
Policia: Po mblidhen informata për keqtrajtimin e 3-vjeçarit nga edukatoret
Policia e Kosovës ka njoftuar se po vijojnë me mbledhjen e informatave dhe intervistimin e personave lidhur me rastin e fëmijës 3-vjeçar, që dyshohet se është keqtrajtuar nga edukatoret në një çerdhe publike në Fushë-Kosovë.
Policia ka shkruar në Facebook të martën se po shqyrtohen raportet mjekësore e po analizohen pamjet e publikuara.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë-Kosovë. Pas publikimit të pamjeve të tilla ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen. Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato. Veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky institucion ka theksuar se “duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit”.
“Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit. Vlerësojmë komunitetin për mirëkuptimin dhe sigurojmë që ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje që vendi ynë të mbetet i sigurt për të gjithë”, thuhet tutje.
Paralajmërohet pezullimi i edukatoreve të dyshuara për dhunë
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha, ka deklaruar se do t’i pezullojnë edukatoret që dyshohet se u përfshinë në rrahjen e një fëmijë në çerdhen publike “Gëzimi Ynë”.
Sipas tij, edukatoret po intervistohen në Policinë e Kosovës, e pas kësaj, do të pezullohen.
“Nuk jam ekspert ta cilësojë atë si dhunë, por do ta respektojmë ligjin. Si DKA do t’i marrim të gjitha masat. Unë qëndroj prapa organeve kompetente. Nuk i kemi pezulluar këto edukatore, por do të pezullohen...Patjetër do të respektojmë ligjin dhe do t’i pezullojmë edukatorët”, ka thënë Berisha para mediave të martën.
Drejtori i Arsimit ka theksuar se për rastin është njoftuar nga drejtoresha e çerdhes publike.
“DKA-ja është informuar nga drejtoresha e çerdhes...Për hapat në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente. Policia e Kosovës i ka bërë ftesën edukatorëve që dyshohet se janë të përfshira, janë duke u intervistuar akterët që dyshohet se janë në rast. Policia ishte këtu, kanë sekuestruar edhe pajisje të kamerave, për hapa në vazhdim do të jemi në bashkëpunim. Këtu s’ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por me respektim të ligjit”, ka shtuar ai.
Ndërsa nënkryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Visar Islami, ka kërkuar që të merren masa ndaj edukatoreve dhe për parandalim të rasteve të tilla.
“Këshilli i Prindërve të Kosovës dënon dhunën e ushtruar ndaj fëmijës në Kopshtin në Fushë-Kosovë dhe i bën thirrje inspektoratit të marrë masa ndaj edukatoreve që kanë ushtruar dhunë ndaj fëmijës e të marrë masa për parandalimin e një dukurie të tillë”, është shprehur Islami.
Avokati i edukatores: Rasti i çerdhes po keqpërdoret, u tentua vetëm ndalimi i fëmijës
Avokati i një prej edukatoreve të çerdhes “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, Bajram Zogiani, ka hedhur poshtë akuzat ndaj klientes së tij, ku thuhet se ka përdorur dhunë.
Zogani, avokati i edukatores Naime Musa, ka thënë para mediave se rasti nuk është siç shihet në incizime, pasi sipas tij, është hiperbolizuar fillimisht nga mediat e më pas nga familjarët.
Zogiani teksa mohoi akuzat për keqtrajtim, shtoi se qëllimi i edukatores ishte mbrojtja e fëmijës.
“Unë jam avokat i Naime Musa, intervistimi ka zgjat 40 minuta, kjo çështje është duke u zmadhuar së tepërmi, së pari nga mediet e më pastaj nga prindërit”, tha Zogiani.
Ai mes tjerash tha Naime Musa po akuzohet për sjellje jo të mirë, e që sipas tij kjo nuk është e vërtetë.
“Akuzë nuk ka ende, ajo po akuzohet për sjellje jo të mirë e që nuk është e vërtetë. Është një punëtore që punon që 24 vjet në këtë institucion dhe që nuk ka qenë në asnjë procedurë gjyqësore. Unë i kam shikuar pamjet dhe ajo fillimisht është ndalesë që mos të dalë jashtë dhe nuk ishte duke e përballuar vendosjen në çerdhe. Ajo është vetëm një ndalesë e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që mos të dalë nga objekti pasi që ai është në adaptim një mujor, është që 15 ditë i vendosur në çerdhe dhe nuk po e përballon vendosjen në çerdhe. Nuk ka qenë tërheqje zvarrë, vetëm një ndalesë. Vendimi nuk dihet ende, pritet. Nuk janë as ndaluar as të arrestuar, pritet përgjigjja nga prokurori", shtoi Zogiani./ksp
Hasani: Fëmija ka trauma, veprimet e edukatoreve janë të vrazhda
Nasuf Hasani, avokat i familjes, ka deklaruar se edukatoret që dyshohet se kanë rrahur 3-vjeçarin kanë kryer vepër penale, duke shtuar se fëmija ka përjetuar trauma.
Sipas avokatit, veprimet e edukatoreve ishin të vrazhda dhe pret nga organet e drejtësisë të veprojnë.
“Siç është parë në video, punëtoret e kopshtit kanë kryer vepër penale. Pos kësaj, është dashur të denoncojnë këtë rast, edhe pse drejtoria e kopshtit ka qenë konstruktive dhe komuna e Fushë-Kosovës paralajmëroi se do të marrin vendime për punonjëset. Veprimet kanë qenë të vrazhda. Kjo qasje është e papranueshme, presim nga organet kompetente që të veprojnë sipas procedurave. Edukatoret ende janë në stacionin policor, provat që i kanë duhet t’i dorëzojnë në Prokurori dhe të vendoset për përkufizim të veprës penale. Në bazë të provave, kanë kryer vepër penale. Uroj që kurrë të mos ndodhë”, ka shtuar ai.
Sipas Hasanit, 3-vjeçari ka qenë i izoluar edhe më parë nga fëmijët e tjerë në këtë çerdhe.
“Kjo ka qenë hera e parë dhe fëmija ka trauma, sa i përket çerdhes është e pamundur të vendoset të dërgohet. Fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar nga fëmijët e tjerë për shkak të hiperaktvitetit, por s’ka qenë e duhur kjo mënyrë”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtoresha e kopshtit Sherife Tërnava, nuk ka pranuar të flasë për rastin. Sipas saj me të po merren institucionet e drejtësisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim më Prokurorinë është duke u marrë me rastin.
“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.
Sipas informatave që i ka KOHA prindërit e 3-vjeçarit, ndaj të cilit është ushtuar dhunë janë duke dhënë deklarata në Polici.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Një i arrestuar në Leposaviq, dyshohet se hyri ilegalisht dhe kontrabandoi barna nga Serbia

ATK-ja u bazua në postimet e klubeve për t’ia caktuar detyrimet tatimore këngëtarit Vllasaliu

Këmbësorja goditet nga vetura në Prishtinë

Një zjarrfikës lëndohet gjatë fikjes së zjarrit në Lipjan

30 ditë paraburgim tre serbëve të dyshuar për krime lufte

Nga një muaj paraburgim të dyshuarve për skema piramidale e bixhoz të paligjshëm

Zihet me kokainë një 18-vjeçar në Vërmicë, lirohet në procedurë të rregullt

Vidhet një sasi e konsiderueshme e insulinave në një depo në Graçanicë

Sulmohet punëtori i kompanisë “Pastrimi” gjatë kryerjes së detyrës në Bardhosh

Dyshohet se vrasja në Malishevë ndodhi pas një mosmarrëveshjeje në punë

Arrestohen dy të dyshuar për mashtrim me prokurim publik në Ferizaj
