Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.S., i dyshuar për vrasjen e rëndë që ka ndodhur në fillim të kësaj jave në Podujevë.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, është bërë e ditur në njoftimin e Gjykatës.

Nga Policia kanë thënë se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 12:30, ndërsa i vrari është rreth 30-vjeç, teksa është plagosur edhe bashkëshortja e viktimës.

Sipas dëshmitarëve, në momentin kritik viktimat kanë qenë me djalin e tyre rreth 4 vjeç.