Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në Skenderaj është vrarë një 39-vjeçar.
Sipas Policisë në këtë rast të plagosur kanë mbetur edhe tre persona të tjerë.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, “dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”.
“Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e sektorit rajonal, thuhet se janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.
Nga Klinika Emergjente i ka thënë Kohës se tre persona të plagosur janë pranuar të mërkurën pas mesnatës në këtë klinikë, duke bërë të ditur se një nga ta është në gjendje më të rëndë.
Rrëfimi i dëshmitarit
Një nga dëshmitarët e rastit, Musa Gashi, ka thënë se në drejtim të të pranishmëve ka shtënë me armë zjarri një person i maskuar që veshur kishte një xhup ushtarake.
Sipas tij, ai nuk ka pasur një objektiv, por ka shtënë në drejtim të të gjithëve, duke shtuar se personi i parë i cili ka rënë në tokë, ka qenë kamerieri, apo djali i pronarit të lokalit, i cili ka vdekur.
Gashi ka shtuar se ky lokal ka çdo natë muzikë dhe nuk ushtron aktivitet të prostitucionit.
“Mbrëmë fatmirësisht nuk kemi qenë më shumë se 10-12 persona”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mbi 50 plumba janë shkrepur brenda lokalit.
Sipas tij, viktima i cili ka qenë baba i tre fëmijëve është goditur me katër plumba në gjoks.
.