Kronikë

Policia në kërkim të burrit që rrahu një djalë të mitur në Prizren

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për veprën penale “Lëndim i rendë trupor”. Ai dyshohet se një muaj më herët në Prizren ka sulmuar një djalë të mitur me ç’rast thuhet se i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Sektori i hetimeve ka bërë përpjekje maksimale në ndriçim të veprës penale dhe ka siguruar fotografi dhe video të dyshuarit mirëpo deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tij. Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim të dispozitave të nenit 76 prag 2 te KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e te dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka kërkuar bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kanë çfarëdo informate, apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarit, të raportojnë policinë në Suharekë, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë.