Tre persona janë arrestuar gjatë mëngjesit të së shtunës në Gjilan, nën dyshimin se kanë kontrabanduar me duhan të përpunuar.
Policia ka njoftuar të dielën se të dyshuarit të parë i janë gjetur 52 pako me nga 800 gram duhan të grirë dhe 15 sosh me nga 500 gram, të gjitha pa dokumente përcjellëse.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i janë gjetur: 40 pako me nga 400 gram, 30 pako me nga 500 gram dhe disa qese tjera, por nuk është përcaktuar sasia-pesha. Malli i është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor Dheu i Bardh, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në rastin e dytë, të dyshuarit i janë gjetur 20 pako me nga 800 gram duhan të përpunuar, 20 pako me nga 300 gram dhe pesë pako me nga 500 gram, të gjitha pa dokumente përcjellëse.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i janë gjetur, tri pako me duhane të grirë –pa përpunuar me nga 500 gram. Malli i është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor Dheu i Bardh, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur Policia.
Kurse të dyshuarit të tretë i janë gjetur 98 pako me nga 800 gram duhan të përpunuar.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i janë gjetur një sasi e konsiderueshme e duhanit të pa përpunuar. Malli i është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor Dheu i Bardh, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.