Kronikë

Dënim me burgim për pilotët që planifikuan trafikimin e katër shqiptarëve në Britani

Tre pilotë kanë marrë dënim me burgim në Britani, për rolin e tyre në trafikimin e katër shqiptarëve nga Belgjika për në Britani të Madhe, raporton “Metro”.

Richard Styles u arrestua së bashku me Silvano Turchetin dhe Vijayakumar Sivakumarin, pasi Agjencia Kombëtare e Krimit në Britania (NCA) zbuloi planin e tyre në mars të vitit 2022.

Styles u arrestua në fushën ajrore Deenethorpe në Northamptonshire.

53-vjeçari vetëm sa kishte fluturuar një aeroplanë të vogël nga Belgjika, duke transportuar tre burra e një grua nga Shqipëria, në tentim për t’i ikur kontrolleve të imigracionit.

Kur policët e arrestuan, ai bëri shaka: “Unë normalisht jam arrestuar për drogë, kështu që është pak e çuditshme”.

NCA-ja zbuloi se ai kishte punuar me Silvano Turchetin, që kishte marrë me qira për 1500 funte aeroplanin me gjashtë ulëse, Piper Seneca.

68-vjeçari kishte paguar që aeroplani të qëndronte në hangar para fluturimit më 23 mars.

Hetuesit kanë konstatuar se ata ishin në kontakt me një shqiptar të njohur si “Tim K”, që kishte aranzhuar që pasagjerët të takohen me pilotët në Belgjikë.

Kur aeroplani u kthye në Britani ditën tjetër, ekipi hetues po priste.

Ndërkohë, Sivakumar, që më herët ishte arrestuar pasi kishte tentuar ta trafikonte dikë në Britani nëpërmjet veturës, u arrestua.

Përgjimet e telefonatave treguan se 43-vjeçari kishte qenë në kontakt me Tim K., në këtë plan.

Të tre pilotët ishin akuzuar më 8 gusht të vitit 2022 për shkelje të rregullave të imigracionit.
Turchet u deklarua fajtor në ditën e parë të seancës, ndërsa Sivakumar u shpall fajtor pas seancës që zgjati pesë ditë në Gjykatën në Leicester në shkurt të vitit 2023.

Më 28 prill, gjykata në Leicester dënoi me shtatë vjet burgim pilotin Styles.

Turchet është dënuar me shtatë vjet e gjysmë burgim, ndërsa Sivakumar me 4 vjet e gjysmë burgim.