Kronikë

Rasti i Sebahate Morinës, Gjykata Kushtetuese konstaton se i është shkelur e drejta për jetë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim lidhur me kërkesën e dorëzuar nga vajza e të ndjerës Sebahate Morina, përmes të cilit konstatohet shkelja e të drejtës për jetën, e garantuar me Kushtetutë. Kjo kërkesë ishte hartuar nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në emër të fëmijëve të tani të ndjerës Morina dhe ishte dorëzuar nga vajza e saj Velerda Sopi.

Vajza e të ndjerës Sebahate Morina, e kishte dorëzuar më 13 korrik 2021 në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 2 të KEDNJ dhe që këto mosveprime nuk kanë qenë në pajtueshmëri me nenet 50 dhe 51 të Konventës së Stambollit. Kjo kërkesë është përgatitur në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kërkesën e saj, Sopi bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës para Gjykatës kontestoi “veprimet dhe mosveprimet” e autoriteteve shtetërore, përkatësisht, Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dhe të cilat sipas saj, rezultuan në cenimin e të drejtës për jetë të nënës së saj.

Në njoftimin e Kushtetueses, thuhet se kjo gjykatë vendosi se kërkesa e vajzës së të ndjerës Morina është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së Morinës.

“Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, dhe të cilat janë detajisht të shtjelluara në aktgjykimin e publikuar, bazuar në shkresat e lëndës, ishin zhvilluar dy kategori procedurash, sipas raportimeve përkatëse për dhunë në familje.

“E para, sipas rastit për dhunë në familje të raportuar më 10 nëntor 2019 dhe për të cilën procedurat përkatëse ishin zhvilluar nga Stacioni Policor, Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore në Gjilan. Ndërsa e dyta, sipas rastit për dhunë në familje të raportuar më 3 mars 2021 dhe për të cilën procedura ishte zhvilluar në Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje.

Përkitazi me kategorinë e parë të procedurave, thuhet se bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që procedura kishte filluar me lajmërimin e rastit për dhunë në familje më 10 nëntor 2019 në Stacionin Policor në Gjilan dhe kishte përfunduar me 27 janar 2020 me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan përmes të cilit, bashkëshorti i të ndjerës S.M., ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale të saktësuara paragrafin 1 të nenit 248 (Dhuna në Familje) dhe nënparagrafin 3.1 të nenit 184 (Sulmi) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Siç është sqaruar në Aktgjykimin e publikuar, përgjatë kësaj periudhe kohore, autoritetet respektive në Gjilan sipas kompetencave përkatëse kishin: (i) vendosur masën e paraburgimit; (ii) nxjerrë Urdhrin Mbrojtës në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajsh; (iii) parashtruar kallëzimin penal; (iv) ngritur aktakuzën; dhe (v) shpallur fajtor L.S.-në për veprat penale të saktësuara si më lart. Thënë këtë, Aktgjykimi i publikuar vë theks në faktin që Gjykata Themelore në Gjilan, kishte zëvendësuar dënimin me burg të L.S.-së në dënim me gjobë prej një mijë e treqind (1,300) euro. Urdhri përkatës i Mbrojtjes kishte skaduar më 26 nëntor 2020”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Përkitazi me kategorinë e dytë të procedurave, Gjykata Kushtetuese thekson se bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që procedura kishte filluar me lajmërimin e rastit për dhunë në familje më 3 mars 2021 në Stacionin Policor në Graçanicë.

“Siç është sqaruar në Aktgjykimin e publikuar, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që të nesërmen: (i) ishte marrë deklarata e L.S-së; dhe (ii) S.M-së, dhe e cila sipas raportit përkatës të policisë, ndër të tjera, kishte theksuar që “nuk është interesuar që të vazhdoj me rastin”. Më 14 mars 2021, S.M., u privua nga jeta me armë zjarri nga L.S., i cili më pas kreu vetëvrasje”, thuhet më tej.

Në kontekst të sqarimeve të lartcekura dhe bazuar në pretendimet e parashtrueses së kërkesës, Gjykata u fokusua në vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit përkitazi me kategorinë e dytë të procedurave, gjithnjë në kontekst edhe të kategorisë së parë./Betimiperdrejtesi