Në dy barnatore në Prishtinë, nga Inspektori Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola, që dyshohet se janë kontrabanduar, ka njoftuar Policia e Kosovës të enjten në mbrëmje. Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, barnat ishin fshehur në pjesë shtesë të lokalit, “të rregulluar enkas për fshehjen e tyre (në formë të bunkerit)”.
Hetuesit policorë dhe Inspektorati Farmaceutik kanë kontrolluar shtatë barnatore në kryeqytet. Gjatë këtij operacioni pas zbulimit të kësaj sasie të barnave, është njoftuar edhe Dogana e Kosovës, që sipas Policisë, ka dalë në teren dhe i është bashkangjitur ekipeve nga institucionet e përfshira në këtë operacion.
“Ekipet policore, inspektorët farmaceutik dhe ekipet nga dogana kanë bërë numërimin e llojit të produkteve të barnave nga ku ka rezultuar se janë sekuestruar 598 lloje të produkteve, kurse sasia e barnave brenda një produkti është më e madhe dhe ka mbetur të numërohen dhe evidentohen nga njësitet përkatëse”, thuhet në raport.
Në Polici janë shoqëruar dy pronarët e barnatoreve. Ndaj tyre janë iniciuar rastet “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, “kontrabandim i mallrave” dhe “tregtia e ndaluar”. Janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.
{gallery}